Inteligjenca emocionale është aftësia për të kuptuar, ndier dhe menaxhuar emocionet – jo vetëm tonat, por edhe të të tjerëve. Edhe pse mund të tingëllojë si një koncept i ndërlikuar për të rriturit, në të vërtetë bazat e inteligjencës emocionale vendosen që në fëmijëri – madje që në vitet e para të jetës. Fëmijët e vegjël mësojnë për emocionet dhe marrëdhëniet jo përmes leksioneve, por përmes lojës dhe ndërveprimit të përditshëm me prindërit, kujdestarët dhe lodrat e tyre të preferuara.
- Loja e roleve: Një botë emocionesh të vogla
Fëmijët që luajnë me lodra që nxisin lojën e roleve – kukulla, kafshë lodër, kuzhina të vogla si lodwr, lojra si mjekw etj – po bëjnë shumë më tepër sesa thjesht argëtohen. Ata po praktikojnë empatinw, zgjidhjen e konflikteve dhe të kuptuarit e emocioneve. Këto skena të vogla, të krijuara përmes imagjinatës, janë ushtrime të pastra të zhvillimit emocional.
- Lodra që shprehin emocione
Disa lodra janë krijuar posaçërisht për të ndihmuar fëmijët të identifikojnë dhe të flasin për emocionet. P.sh: Kukulla me fytyra të ndryshme emocionale, Libra me ilustrime të emocioneve, Puzzle ose kartela që tregojnë fytyra të lumtura, të trishtuara, të zemëruara, etj. Këto i mësojnë fëmijët të emërtojnë ndjenjat e tyre – një hap kyç në vetëdijen emocionale.
- Lojra në grup dhe ndërveprimi
Kur fëmijët luajnë me njëri-tjetrin, ata përballen me sfida reale emocionale: Të presin radhën; Të ndajnë një lodër; Të dëgjojnë një mik; Të menaxhojnë zhgënjimin kur loja nuk shkon siç dëshirojnë etj. Këto momente janë perfekte për mësimin e vetëkontrollit dhe ndërtimin e aftësive sociale. Prindërit mund të ndërhyjnë butësisht për të ndihmuar me fjalë si: “Shikoj që je i zemëruar. A mund të flasim për këtë?”
- Lojra kreative dhe shprehja e ndjenjave
Ngjyrosja, vizatimi, plastelina dhe ndërtimet kreative nuk janë vetëm aktivitete argëtuese – ato janë forma për fëmijët që ata të shprehin emocionet që nuk dinë t’i thonë me fjalë. Shpesh një vizatim i thjeshtë mund të tregojë shumë për atë që fëmija ndjen. Kjo formë e lojës krijon hapësirë për komunikim emocional të pashqetësuar.
- Zgjedhja e lodrave që mbështesin inteligjencën emocionale
Kur zgjedh lodra për fëmijën tënd, merr parasysh:
- Lodrat që nxisin bashkëpunimin dhe jo konkurrencën
- Lodrat që kërkojnë ndërveprim dhe imagjinatë
- Lodrat që shërbejnë si mjete për tregim (kukulla, kartela, libra)
- Materialet që ndihen të ngrohta dhe të sigurta, që krijojnë lidhje emocionale
Zhvillimi i inteligjencës emocionale nuk ndodh menjëherë – ai ndërtohet dalëngadalë, përmes përvojave të vogla të përditshme. Lodrat nuk janë vetëm për argëtim, por janë mjetet më të fuqishme për të mësuar emocionet, marrëdhëniet dhe vetëkontrollin. Dhe lajmi i mirë? Ti, si prind, kujdestar apo edukator, mund të ndihmosh shumë – vetëm duke luajtur.
